1
Kush banon nën strehën e të Tejlartit, qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit.
2
Do t’i them ZOTIT: «Ti je streha ime e fortesa ime, je Perëndia im, te ti kam besim».
3
Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit dhe nga plaga vdekjeprurëse.
4
Me pendët e tij do të të mbulojë, nën krahët e tij strehë do të gjesh, shqyt e mburojë është besnikëria e tij.
5
Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës e as shigjetën që vringëllon ditën
6
as murtajën që endet nëpër terr e as shfarosjen që shkreton në zheg.
7
Le të bien mijëra përreth teje, apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të prekë asgjë.
8
Vetëm hap sytë e shih ndëshkimin e të paudhëve.
9
ZOTI është streha jote, i Tejlarti banesa jote
10
nuk të prek asnjë e keqe dhe tendës sate sëmundje nuk do t’i afrohet.
11
Ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve.
12
Në duart e tyre do të të mbajnë, që këmba jote të mos ndeshë në gur.
13
Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh, do të shtypësh luanë e gjarpërinj.
14
«Do ta çliroj, sepse më deshi, do ta mbroj, se njohu emrin tim.
15
Do të më thërrasë e unë do t’i përgjigjem, në vështirësi me të do të jem, do ta shpëtoj e nder do t’i jap.
16
Do ta kënaq me jetë të gjatë dhe shpëtimin tim do t’i dëftej».