Kush banon nën strehën e të Tejlartit

Kush banon nën strehën e të Tejlartit

1  
Kush banon nën strehën e të Tejlartit, qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit.

2  
Do t’i them ZOTIT: «Ti je streha ime e fortesa ime, je Perëndia im, te ti kam besim».

3  
Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit dhe nga plaga vdekjeprurëse.

4  
Me pendët e tij do të të mbulojë, nën krahët e tij strehë do të gjesh, shqyt e mburojë është besnikëria e tij.

5  
Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës e as shigjetën që vringëllon ditën

6  
as murtajën që endet nëpër terr e as shfarosjen që shkreton në zheg.

7  
Le të bien mijëra përreth teje, apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të prekë asgjë.

8  
Vetëm hap sytë e shih ndëshkimin e të paudhëve.

9  
ZOTI është streha jote, i Tejlarti banesa jote

10  
nuk të prek asnjë e keqe dhe tendës sate sëmundje nuk do t’i afrohet.

11  
Ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve.

12  
Në duart e tyre do të të mbajnë, që këmba jote të mos ndeshë në gur.

13  
Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh, do të shtypësh luanë e gjarpërinj.

14  
«Do ta çliroj, sepse më deshi, do ta mbroj, se njohu emrin tim.

15  
Do të më thërrasë e unë do t’i përgjigjem, në vështirësi me të do të jem, do ta shpëtoj e nder do t’i jap.

16  
Do ta kënaq me jetë të gjatë dhe shpëtimin tim do t’i dëftej».

Psalm 91 in Albanian

Psalm 91 in English

Stihe Biblike të Krishtlindjeve

Stihe Biblike të Krishtlindjeve

Perëndia do t’i braktisë derisa të lindë gruaja shtatzënë dhe vëllezërit që mbeten do të kthehen te bijtë e Izraelit.

Mikea 5:2

Prandaj vetë ZOTI do t’ju japë një shenjë: ja, vashëza do të mbetet shtatzënë, do të lindë një djalë e do ta quajë Emanuel.

Isaia 7:14

Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre».

Mateu 1:20-21

Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar.

Gjoni 3:16

I madh do të jetë sundimi i tij e paqja nuk do të ketë fund mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij. Do të zërë rrënjë e do të forcohet në të drejtë e drejtësi, që tani e deri në amshim. E këtë ka për ta bërë zelli i ZOTIT të ushtrive.

Isaia 9:6

Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir e të vërtetë.

Gjoni 1:14

Por, kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai lindi nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit, për të shpenguar ata që ishin nën ligj e që ne të birësohemi.

Galatasve 4:4-5

por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot.

Luka 2:10-11

Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu: «Lavdi i qoftë Perëndisë në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i ka për zemër».

Luka 2:13-14

Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Mateu 2:9-12